SHENZHEN – Meksika, Peruja dhe Kili takime me Xi në samitin e APEC-ut
MEKSIKO SITI, 18 nëntor /ATSH-ANSA/- Presidentët e Meksikës, Perusë dhe Kilit zhvilluan takime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po mbahet në Kinë, me fokus forcimin e marrëdhënieve tregtare, investimet dhe bashkëpunimin ekonomik.
Gjatë takimit me Xi Jinping, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një epokë të re, të mbështetur në lidhjet e forta të miqësisë.
Ajo rikonfirmoi angazhimin e Meksikës për marrëveshjet shumëpalëshe dhe ftoi presidentin kinez të vizitojë vendin e saj në vitin 2028, kur Meksika do të presë samitin e ardhshëm të APEC-ut.
Sheinbaum u ndal edhe te marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Meksika vijon të diskutojë me Uashingtonin bashkëpunimin ekonomik dhe se do të veprojë gjithmonë në interes të vendit.
Gjatë qëndrimit në Kinë, ajo zhvilloi gjithashtu një takim me kryeministrin kanadez Mark Carney, duke vënë në dukje rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes tre vendeve të Amerikës së Veriut.
Ndërkohë, presidentja e Perusë, Keiko Fujimori, siguroi nga Kina një ndihmë financiare në formën e një donacioni prej 21,3 milionë eurosh, ose rreth 22,5 milionë dollarësh, për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga fenomeni klimatik “El Nino”.
Ajo rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Perusë për politikën e Kinës për “Një Kinë të vetme”, sipas së cilës Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.
Nga ana tjetër, presidenti i Kilit, José Antonio Kast, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të fundit diplomatike, rikonfirmoi rëndësinë e Kinës si një partner historik dhe si destinacioni kryesor i eksporteve kiliane të mineraleve dhe produkteve bujqësore.
Duke folur në forumin e biznesit, Kast theksoi se vendet që prodhojnë minerale duhet të zhvillojnë edhe përpunimin e tyre brenda territorit kombëtar, në vend që t’i eksportojnë vetëm si lëndë të para. Sipas tij, këto vende duhet të investojnë në teknologjitë e tyre, në mënyrë që të rrisin vlerën e produkteve dhe të zhvillojnë industrinë vendase.
Takimet zhvillohen në një kohë kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkurrojnë për ndikim ekonomik dhe tregtar në Amerikën Latine, ndërsa vendet e rajonit synojnë të ruajnë marrëdhënie të qëndrueshme me të dyja fuqitë. /