Nis diskutimi i Projektbuxhetit 2027 në Parlament, në rend dite edhe paketa fiskale
Parlamenti është mbledhur këtë të mërkurë në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve po shqyrtohet në parim projektbuxheti për vitin 2027 dhe paketa fiskale. Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare dhe po diskutohen për herë të parë në sallën e Parlamentit.
Pak minuta para nisjes së seancës plenare, kryeministri Edi Rama mbërriti në Parlament për mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku dha udhëzimet përkatëse. Rama është i pranishëm edhe në seancë, pasi atij i takon prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2027, me një vlerë prej mbi 10 miliardë eurosh.
Edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike mbërriti në Parlament, me në krye Sali Berishën por pa 12 deputetët e përjashtuar përfshirë kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretarin e përgjithshëm, Flamur Noka. Një ditë para seancës, kreu i PD-së deklaroi se opozita do të votojë kundër projektbuxhetit të vitit 2027. Ai e cilësoi atë si një buxhet të hartuar në fshehtësi, pa konsultime publike dhe pa përfshirjen e qytetarëve dhe bizneseve, duke pretenduar se përmes tij përfiton një grup i kufizuar njerëzish.
Demokratët janë të pranishëm në sallë për të paraqitur kundërshtimet e tyre si për projektbuxhetin, ashtu edhe për paketën fiskale. Opozita përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh, pasi disa përfaqësues të Partisë Demokratike janë përjashtuar nga punimet parlamentare. Mes tyre janë kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Pritet të jetë një seancë e gjatë, pasi Rregullorja e Parlamentit parashikon mundësinë që diskutimet për projektbuxhetin, të cilat sot zhvillohen në parim, si dhe votimi në parim, të vijojnë edhe ditën e enjte, deri në përfundimin e tyre.
Sipas gazetares së Euronews, Enkelejda Mema, seanca pritet të jetë e qetë dhe nuk parashikohen përplasje, pasi këtë herë PD-ja do të mbajë qëndrimin e saj në sallë lidhur me buxhetin e vitit 2027. Secili prej deputetëve të PD-së dhe forcave të tjera opozitare ka kërkuar fjalën në foltore për të shprehur qëndrimet dhe mendimet e tij.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje që lidhen me paketën fiskale. Konkretisht, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet dhe shtesat në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Krahas projektbuxhetit dhe paketës fiskale, Parlamenti do të shqyrtojë edhe ndryshimet dhe shtesat në ligjin për strehimin social, si dhe një projektvendim për ndryshimin e vendimit të Parlamentit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Rendi i ditës së seancës plenare: