DASH miraton shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë, paketa kap vlerën e 210 mln $
Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, në një paketë ushtarake që kap vlerën e rreth 210 milionë dollarëve. Marrëveshja synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe rritjen e aftësisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme, në kuadër të angazhimeve si vend anëtar i NATO-s.
Sipas të dhënave të publikuara nga Defense Mirror, paketa parashikon blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, të shoqëruara me municione të drejtuara me precizion të lartë dhe pajisje të tjera mbështetëse.
Konkretisht, në paketë përfshihen gjashtë kontejnerë me raketa M31A2 GMLRS Unitary dhe gjashtë kontejnerë me raketa M30A2 GMLRS Alternative Warhead. Gjithashtu, parashikohet furnizimi me tetë sisteme taktike për drejtimin e artilerisë dhe dy automjete ushtarake Humvee.
Pajisjet e tjera përfshijnë sisteme komunikimi, radio taktike, mjete navigimi, pajisje logjistike, pjesë këmbimi dhe mjete për mirëmbajtjen e sistemeve. Paketa përfshin gjithashtu trajnimin e personelit shqiptar, asistencën teknike dhe mbështetjen logjistike.
Financimi i blerjes, me vlerë të parashikuar prej 210 milionë dollarësh, do të realizohet përmes programit amerikan të Financimit Ushtarak të Jashtëm (Foreign Military Financing). Kontraktori kryesor për realizimin e kësaj shitjeje do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin, prodhuesi i sistemeve HIMARS.