Rama tregon skemën: Si dhe sa do rriten pensionet
Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, për dyfishimin e rritjes së pensioneve nga janari, krahasuar me vitin e mëparshëm. Ai u zotua se rritja do të dyfishohet kundrejt vitit paraardhës edhe në vitet në vijim.
“Nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meriton të ndiejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, padiskutim është kategoria e pensionistëve. Këtë e them me vetëdije të plotë, e them në emër të të gjithë juve, se në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si unë dhe të gjithë ju, ndesheni me këtë nevojë që vjen si rezultat i një marrëdhënieje të patjetërsueshme të kësaj partie me atë kategori.
Pensionistët ende i bëjnë llogaritë me laps dhe letër, dhe këta honxhoponxhot këtu mendojnë se mund t’i tollovisin me llogaritë e tyre kokëposhtë. Pensionistët e dinë më mirë se ç’do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi. Edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por me ekonomi.
Nga janari dyfishojmë rritjen e vitit që lëmë pas dhe do t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim krahasuar me vitin e parë. Janë 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët”, tha Rama.