KDI: Të papranueshme sjellet dhe gjuha e anëtarëve të Komisonit hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Instituti Demokratik i Kosovës ka dënuar mënyrën se si disa deputetë po i përdorin mbledhjet e Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt për përplasje personale e partiake.
KDI thekson se në disa prej mbledhjeve të deritashme, diskutimet për çështjet në rend të ditës kanë kaluar në akuza, sulme dhe fyerje mes deputetëve.
“Devijime të tilla nga agjenda e punës së komisionit dëmtojnë hetimin parlamentar dhe besimin e publikut në këtë proces.
Sjelljet dhe gjuha joparlamentare janë veçanërisht të rënda në një komision të cilit Kuvendi i ka besuar hetimin parlamentar të një rasti kaq të ndjeshëm, siç është vrasja e Arlinda Zekajt. Deputetët kanë përgjegjësi ndaj publikut, e posaçërisht ndaj familjes së saj që këtë çështje ta trajtojnë me dinjitet”, thuhet në reagim.
KDI i kërkon kryesuesit të Komisionit, Burim Ramadani, që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të sanksionuar përdorimin e gjuhës joparlamentare dhe të sigurojë që mbledhjet e komisionit të zhvillohen në përputhje me agjendën dhe me standardet e sjelljes dhe komunikimit parlamentar. /Telegrafi/