E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Blendi Fevziu prezanton në Prishtinë kolanën me 14 libra: Pa njohur të kaluarën nuk mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë

Blendi Fevziu prezanton në Prishtinë kolanën me 14 libra: Pa njohur të kaluarën nuk mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë

Rreth 35 vite histori, të përmbledhura në një kuti me 14 vëllime librash, dy prej të cilëve botime të reja. Kjo është seria e autorit dhe gazetarit Blendi Fevziu, i cila sjell rrëfime për figura dhe ngjarje të rëndësishme historike, përfshirë Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Hashim Thaçin dhe luftën e Kosovës, si dhe tema të tjera që kanë shënuar historinë shqiptare.

Në mesin e botimeve është edhe libri “Jeta ime”, një intervistë me Blendi Fevziun, që sjell një këndvështrim mbi jetën dhe rrugëtimin e tij profesional.

Promovimi i kësaj serie prej 14 librash u mbajt të martën në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka”, në Dukagjini Center, në Prishtinë, ku morën pjesë shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe botës mediale.

Gjatë promovimit, Fevziu foli për rrugëtimin e tij disa vjeçarë në krijimtari, rëndësinë e librit dhe kujtesës historike, si dhe lidhjen e veçantë të veprave të tij me Kosovën.

“Nuk është i vështirë vetëm momenti, është e vështirë gjithë koha që ke shkruar, që prej momenteve të para. Botimin e parë e kam pasur në moshën 23-vjeçare, në vitin 1992 dhe prej atëherë i bie rreth 34 vjet”, u shpreh Fevziu, duke shtuar se sidomos pas vitit 2010 ka pasur një ritëm të rregullt botimesh.

Nga gjithë krijimtaria e tij, ai veçoi librin “Tirana e Nonës”, të cilin e konsideron veprën më të mirë të shkruar prej tij. Sipas Fevziut, libri nuk është thjesht një rrëfim kujtimesh, por një pasqyrim i transformimit historik dhe shoqëror të Shqipërisë përmes historisë së një familjeje.

Ai përmendi edhe suksesin ndërkombëtar të librit “Enver Hoxha”, duke theksuar se është botuar në 11 gjuhë dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Fevziu tha se vepra është trajtuar në mbi 40 artikuj të gazetave të mëdha, ndërsa, sipas tij, gazeta britanike The Guardian e ka rekomanduar ndër dhjetë librat më të mirë për Luftën e Ftohtë.

Një nga mesazhet kryesore të Fevziut ishte rëndësia e leximit dhe njohjes së historisë, në një kohë kur raporti i shoqërisë me librin ka ndryshuar.

“Raporti me librin është ftohur pak në të gjithë botën. Megjithatë, unë vazhdoj të mendoj që raporti me librin është një raport jashtëzakonisht i rëndësishëm për formimin e njeriut”, deklaroi ai.

Sipas tij, librat me përmbajtje historike kanë një rol të veçantë në kuptimin e së tashmes dhe ndërtimin e së ardhmes.

“Njerëzit asnjëherë nuk mund të ndërtojnë një të ardhme prosperuese në qoftë se nuk kthejnë kokën mbrapa për të parë se nga janë nisur”, theksoi Fevziu.

Duke shpjeguar arsyet e bashkëpunimit me Shtëpinë Botuese Dukagjini, ai vlerësoi profesionalizmin e saj, cilësinë e botimeve dhe rrjetin e shpërndarjes.

“Kam zgjedhur Dukagjinin sepse kam vënë re që është shumë serioze në punën që bën, në cilësinë e shtypjes dhe rrjetin e shpërndarjes. Nuk mjafton vetëm ta printosh një libër, duhet edhe të kesh një sistem shpërndarjeje të mirë”, tha ai.

Fevziu theksoi gjithashtu se Kosova dhe shqiptarët e saj zënë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, si përmes personaliteteve të trajtuara, ashtu edhe ngjarjeve historike, veçanërisht luftës së Kosovës.

“Unë ngjarjet historike i kam parë si ngjarje historike të shqiptarëve, pavarësisht nëse kanë qenë nga kjo apo nga ana tjetër e një kufiri formal”, u shpreh Fevziu, duke theksuar se historinë e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk e ka trajtuar si dy histori të ndara.

Nga ana tjetër, drejtorja e shtëpisë botuese “Dukagjini”, Edona Lluka vlerësoi bashkëpunimin me autorin dhe procesin e realizimit të kolanës.

“I gjithë procesi ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht profesional dhe korrekt, nga konceptimi dhe dizajnimi i kopertinave, puna në redaksi dhe përgatitja teknike e librave, e deri te shtypi dhe finalizimi i tyre”, u shpreh Lluka.

Ndërkaq, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, e konsideroi botimin e përmbledhur të veprave të Fevziut një kontribut të rëndësishëm edhe për lexuesit në Kosovë.

“Kjo ka bërë një përmbledhje të gjithë historisë së punës së tij në një vëllim të rëndësishëm, që është i rëndësishëm jo vetëm për Blendin, por edhe për komplet popullin e Kosovës”, deklaroi Shala.

Rëndësinë e librit e theksoi edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj i cili tha se zhvillimi teknologjik nuk e zbeh rolin e tij si burim i dijes.

“Edhe përkundër zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, libri prapë është burimi më i rëndësishëm i diturisë”, tha Totaj.

Ai e përshkroi Fevziun si një autor shumëdimensional dhe studiues që i kushton rëndësi të veçantë përmbajtjes së veprave të tij.

“Blendin e njoh personalisht. Është një autor shumëdimensional, është një studiues i cili merret jo veç me formë, por edhe me përmbajtje dhe jam shumë i sigurt se këta libra do të sjellin një këndvështrim ndryshe”, shtoi Totaj.

Edhe gazetari Baton Haxhiu e vlerësoi Fevziun si mik, bashkëudhëtar dhe profesionist, duke veçuar angazhimin e tij si lexues, gazetar dhe shkrimtar.

“Lexues i jashtëzakonshëm, gazetar i jashtëzakonshëm dhe shkrimtar shumë i mirë”, u shpreh Haxhiu. /Telegrafi/

Lini një koment