E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Ia mbathi me bisht ndër shalë”, Berisha kthehet në Kuvend pas largimit të Ramës: Kjo është hera e fundit që

“Ia mbathi me bisht ndër shalë”, Berisha kthehet në Kuvend pas largimit të Ramës: Kjo është hera e fundit që

Deputetët e Partisë Demokratike janë rikthyer në sallën e Kuvendit menjëherë pasi kryeministri Edi Rama përfundoi fjalën e tij dhe u largua nga seanca plenare.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së, fjalën e mori kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, pasi Gazment Bardhi ndodhet i përjashtuar nga punimet parlamentare.

Gjatë fjalës së tij, Berisha sulmoi ashpër kryeministrin, duke deklaruar se Rama ishte larguar nga salla dhe se, sipas tij, kjo do të ishte hera e fundit që prezantonte një buxhet në Kuvend.

“Ia mbathi. Siç e patë vetë, padrino ia mbathi, me bisht ndër shalë, ia mbathi sepse e di që kjo është e fundit herë që ai paraqet buxhet në këtë sallë. Ia mbathi si hajduti më i madh i kombit shqiptar në histori”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së e akuzoi kryeministrin për lidhje me krimin e organizuar dhe ngriti pretendime për krijimin e një narkoshteti në Shqipëri.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha u ndal te rënia e euros dhe dollarit, duke e lidhur atë me dëmtimin e eksporteve, humbjen e vendeve të punës dhe zhvlerësimin e kursimeve të qytetarëve shqiptarë.

Ai akuzoi gjithashtu Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, se ka ndërhyrë në tregun valutor duke blerë 1 miliard euro gjatë këtij viti.

“Rënia katastrofale e eksporteve nga 2022-2025 me 29% do të thotë rrënim i dhjetëra e mijëra vendeve të punës dhe largim masiv i shqiptarëve nga Shqipëria. Rënia e euros dhe dollarit ka zhvlerësuar kursimet e shqiptarëve në euro e dollar”, deklaroi Berisha.

Në vijim, ai pretendoi se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, duke rënduar ekonominë e qytetarëve.

Lini një koment