E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Sporti›A je shqiptar? Rocco Vata tregon presionin që i bënë në fushë lojtarët e Kosovës

A je shqiptar? Rocco Vata tregon presionin që i bënë në fushë lojtarët e Kosovës

Rocco Vata luajti pak minuta me Irlandën në ndeshjen e djeshme ndaj Kosovës, në Nations League. Mesfushori, djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata, zgjodhi të luajë për këtë përfaqësuese dhe u aktivizua në minutat e fundit të ndeshjes me Kosovën, ku Irlanda fitoi 3-0.

Vata ka treguar pas ndeshjes për shtypin irlandez se kishte pasur një lloj presioni nga lojtarët e Kosovës, të cilët u përpoqën ta intimidonin, duke e sharë në gjuhën shqipe.

Për “Balls.ie” Vata u shpreh: “Kur isha në zonë dhe po përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata thanë disa fjalë, që unë i kuptova. Po më shanin pak. Më thanë: ‘A je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë u thashë ‘Po, s’ka problem.’ Pas ndeshjes më kërkuan ndjesë, kjo ishte korrekte nga ata”.

Vata tregoi se gjyshja e tij ishte ajo që bënte më shumë tifo nga familjarët që e ndiqnin nga tribuna e stadiumit “Aviva”. “Kisha tetë veta lart në zonën e tribunës. Gjyshja ime është irlandezja më krenare që mund të gjesh. Pas ndeshjes e kërkova dhe e dëgjova duke bërtitur mes turmës. Ishte tejet e emocionuar, shumë e lumtur”.

Vata e ka humbur vendin e tij tek Watfordi, pasi sezoni i kaluar u shoqërua nga dëmtime të shumta. Po ai ka besimin e trajnerit të Irlandës.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment