Buxheti 2027/ Malaj: Ulja e pragut të TVSH nga 10 në 5 milionë lekë me kërkesë të FMN-së, fermerët nuk preken
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka sqaruar në Kuvend detajet e paketës fiskale 2027, duke u ndalur te ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, ndryshimi i pragut të TVSH-së dhe taksimi i dividendit.
Sa i përket uljes së TVSH-së për produktet e shportës, Malaj deklaroi se kjo nismë synon të mbështesë qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Ndërsa për uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë, ministri tha se vendimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme të organizmave ndërkombëtarë, veçanërisht Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas Malajt, pragu aktual ishte ndër më të lartët në Europë, ndërsa që prej vitit 1996 e deri më sot është ndryshuar tetë herë. Ai theksoi se kjo çështje është diskutuar prej vitesh. Sa i përket fermerëve, ministri garantoi se ata nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së, pasi do të përjashtohen nga kjo masë. Ai shtoi se çështja do të rregullohet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.
“Ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës, është një nismë që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve me të ardhura të ulëta e të mesme. Ndërkohë në lidhje me pyetjen për pragun e TVSH-së dhe uljes së saj nga 10 milionë në 5 milionë, vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe konkretisht FMN-së. Pragu ishte ndër më të lartët në Europë. Pragu i TVSH-së nga viti 1996 e deri më sot ka ndryshuar 8 herë. Çështja e pragut të TVSH-së është një çështje e trajtuar prej vitesh.
Fermerët nuk do të preken nga ndryshimi i pragut të TVSH-së. Do të përjashtohen nga pjesa e uljes së këtij pragu. Çështja e pragut rregullohet me VKM. Për sa i përket rindërtimit, për vitin 2027 janë planifikuar 2 miliardë lekë. Më pak se vitin e kaluar, pasi kemi 7.4 miliardë lekë fonde të trashëguara nga vitet e kaluara”, tha Malaj.
Malaj sqaroi gjithashtu se ndryshimi i taksimit të dividendit hyn në fuqi më 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarjen e fitimeve të pashpërndara, i marrë pas kësaj date, do të tatohet me normën 15%, ndërsa vendimet e marra deri në dhjetor do të trajtohen me normën aktuale prej 8%.
“Për sa i përket çështjes së konsultimit publik të kësaj pakete fiskale, është bërë me këshillin tatimor, anëtarë të cilët janë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe grupeve të interesit. Lidhur me çështjen e dividentit se kur hyn në fuqi, hyn në 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarje të fitimeve të pashpërndara pas datës 1 janar 2027 do të trajtohet me normën e dividentit 15%. Ndërsa çdo vendim deri në dhjetor do të trajtohet me 8%. Rindërtimi është një proces që po ecën përpara, por është një proces që varet nga qeveria vendore dhe jo nga ajo qendrore”, tha Malaj.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.