E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Gonxhja: Buxheti i MTKS-së për 2027 arrin në 7.65 miliardë lekë, rritje e investimeve në kulturë

Gonxhja: Buxheti i MTKS-së për 2027 arrin në 7.65 miliardë lekë, rritje e investimeve në kulturë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se buxheti i institucionit për vitin 2027 parashikohet të jetë 7.65 miliardë lekë, me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2026.

Në një njoftim mbi projektbuxhetin, Gonxhja theksoi se një nga ndryshimet kryesore lidhet me rritjen e financimit për kulturën, trashëgiminë kulturore, muzetë dhe artin, si edhe me zgjerimin e investimeve në sport dhe rininë.

Sipas ministrit, buxheti për kulturën arrin në 5.45 miliardë lekë në vitin 2027, nga 1.42 miliardë lekë në vitin 2013, duke shënuar një rritje prej 284%.

Në fokus të financimit është edhe trashëgimia kulturore dhe rrjeti i muzeve. Për këtë sektor parashikohen 2.08 miliardë lekë, ose 80% më shumë se në vitin 2026. Investimet do të përfshijnë 10 objekte prioritare për Rrjetin Kombëtar të Muzeve, shpëtimin e 30 banesave monument kulture dhe rijetëzimin e kullave tradicionale në katër qarqe të Veriut.

Ndërkohë, investimet në trashëgiminë kulturore parashikohen të arrijnë në 1.11 miliardë lekë, me një rritje prej 300% krahasuar me vitin 2026.

Për artin dhe kulturën janë parashikuar 3.37 miliardë lekë, ku përfshihen 1.5 miliardë lekë investime publike. Gjithashtu, 495.9 milionë lekë do të shkojnë për projektet artistike të institucioneve dhe skenës së pavarur, me një rritje prej 21.7%.

Gonxhja bëri të ditur se financimi për institucionet e artit do të kalojë 200 milionë lekë në vitin 2027, nga 47.3 milionë lekë në vitin 2024.

Në drejtim të infrastrukturës kulturore, vijojnë projektet për Galerinë Kombëtare të Arteve të zgjeruar, Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e ri Kombëtar. Në plan janë gjithashtu rijetëzimi i shtatë kinemave publike dhe investime në site arkeologjike, kala, monumente dhe muze.

Një tjetër drejtim është turizmi dhe digjitalizimi, ku parashikohet vijimi i platformave eVisitor dhe biletarisë elektronike. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë zhvilluar 2,107 aktivitete, me një rritje prej 23.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në vëmendje është edhe fuqizimi i të rinjve, përmes programeve RinCamp 2027, EU4Youth, Garancia Rinore, EMPOWERHER dhe VOICE 2 YOUTH ALBANIA, të cilat synojnë aftësimin profesional, punësimin, zhvillimin e aftësive digjitale dhe sipërmarrjen, me fokus të veçantë te vajzat dhe të rinjtë në zonat rurale.

Sa i përket sportit, financimi për vitin 2027 parashikohet të rritet me 73% krahasuar me vitin 2026, duke synuar zgjerimin e mundësive për sportistët dhe të rinjtë.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se në kuadër të modernizimit të sektorëve të turizmit, kulturës, sportit dhe rinisë janë parashikuar nëntë reforma ligjore.

Lini një koment