Seanca për buxhetin, Tabaku replikë me Ramën: Ku shkuan 1,2 miliardë eurot e rindërtimit?
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, replikoi me kryeministrin Edi Rama në seancën plenare të së mërkurës, duke akuzuar qeverinë për abuzime me fondet e rindërtimit dhe përdorimin e banesave për qëllime elektorale. Rama hyri në sallën e Kuvendit gjatë fjalës së saj.
Sipas Tabakut, për rindërtimin janë shpenzuar 1,2 miliardë euro, ndërsa familje në zonën e 5 Majit dhe në Kombinat ende nuk kanë marrë banesat. Ajo kërkoi llogari për përdorimin e fondeve dhe vonesat në përfundimin e procesit.
“Keni bërë tendera, nuk keni shpërndarë banesat”, deklaroi deputetja.
Tabaku e krahasoi rindërtimin me aferën e inceneratorëve, duke akuzuar qeverinë se ka shfrytëzuar edhe pasojat e tërmetit për abuzime me paratë publike.
“Me rindërtimin, qeveria shqiptare i vendos vulën një afere tjetër korruptive, e cila është e njëjtë me atë të inceneratorëve”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, Tabaku deklaroi se kontrata të rindërtimit janë dhënë pa fondet përkatëse të miratuara në buxhet. Sipas saj, qeveria vijon të financojë një proces që zvarritet prej vitesh, ndërkohë që qytetarët mbeten në pritje të banesave.
Deputetja e lidhi këtë zvarritje me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Ajo akuzoi mazhorancën se banesat që duhej të ishin përfunduar në vitet 2020–2021 vazhdon t’i përdorë për përfitime politike.
“Akoma sot e kësaj dite i përdorin si mall elektoral për banorët, për votuesit, për qytetarët”, tha Tabaku.
Në të njëjtën ndërhyrje, ajo kërkoi tërheqjen nga rendi i ditës të projektligjit për strehimin social. Sipas Tabakut, përfshirja e tij në seancën ku diskutohet projektbuxheti, pa qenë në kalendarin dhe programin e punës, shkel Rregulloren e Kuvendit.