E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ekstradohet nga SHBA Valentin Ftoni me tre identitete të falsifikuara, i dënuar për tri vrasje

Ekstradohet nga SHBA Valentin Ftoni me tre identitete të falsifikuara, i dënuar për tri vrasje

Një shtetas shqiptar i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2001 dhe kishte arritur t’i shmangej drejtësisë amerikane duke përdorur tre identitete të falsifikuara.

Sipas njoftimit, në SHBA ai identifikohej edhe si Valentin Bujaj, Parim Hajredini dhe Alexander Campusano. Më 18 nëntor 2026, Ftoni u mor në dorëzim nga autoritetet federale amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.

Ftoni është dënuar fillimisht më 28 janar 2001 nga Gjykata e Shkodrës me 25 vite burgim për vrasjen e dy shtetasve, Gj. M. dhe A. M., më 19 shtator 2000, në fshatin Cas, për motive gjakmarrjeje.

Ndërsa më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e ka dënuar sërish me 25 vite burgim për vrasjen e shtetasit G. T., ngjarje e ndodhur më 12 gusht 2001 në Shkodër.

Policia e Shtetit e cilëson këtë ekstradim si një tjetër rezultat të bashkëpunimit me autoritetet amerikane në luftën kundër kriminalitetit dhe në realizimin e operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare.

Lini një koment