E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›9.1 mln euro të kalojnë në pronësi të shtetit, SPAK kërkon konfiskim pasurish për ‘Grupin e Shkozetit’

9.1 mln euro të kalojnë në pronësi të shtetit, SPAK kërkon konfiskim pasurish për ‘Grupin e Shkozetit’

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 9.1 milionë euro, të cilat dyshohet se nuk justifikohen me burime të ligjshme të të ardhurave. Pasuritë lidhen me personat e proceduar në dosjen e njohur si “Grupi i Shkozetit” në Durrës, që dyshohet se drejtohej nga Ervis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Më 17 nëntor 2026, SPAK ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për konfiskimin e pasurive, në kuadër të procedimit pasuror nr. 10 të vitit 2025.

Sipas hetimeve, në emër të personave nën hetim, familjarëve dhe personave të lidhur me ta janë identifikuar pasuri të luajtshme, të paluajtshme dhe kuota në shoqëri tregtare, të cilat nuk justifikohen nga burime të ligjshme financiare.

Në listën e pasurive përfshihen 24 prona të paluajtshme, kryesisht apartamente, njësi biznesi, truall dhe ndërtesa në Durrës, si dhe dy vende parkimi në Vlorë.

Gjithashtu, SPAK kërkon konfiskimin e tre automjeteve luksoze, mes tyre një Mercedes-Benz AMG GLE 63 4MATIC i vitit 2017 dhe dy automjete BMW, të viteve 2018 dhe 2021.

Në listën e pasurive janë edhe kuotat në katër shoqëri tregtare, “Marquess”, “Felix Vinum”, “Dubai im” dhe “Vlora CABLE”, si dhe një subjekt me statusin person fizik.

Vlera e përgjithshme e pasurive, sipas çmimeve aktuale të tregut, llogaritet në rreth 9.1 milionë euro.

Ndërkohë, SPAK ka vendosur ndarjen e procedimit pasuror nr. 10/2025 në një procedim të ri, nr. 10/1 të vitit 2026, për të vijuar hetimet ndaj subjekteve dhe pasurive të tjera.

Lini një koment