E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHENZHEN – Xi, Trump dhe Putin darkojnë së bashku, përpara takimit të parë tripalësh

SHENZHEN – Xi, Trump dhe Putin darkojnë së bashku, përpara takimit të parë tripalësh

SHENZHEN, 18 nentor /ATSH-DPA/- Liderët e Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë u mblodhën sot në një darkë zyrtare në qytetin kinez të Shenzhenit, në prag të takimit të parë tripalësh mes tre krerëve të shteteve.

Televizioni kinez transmetoi pamje ku presidenti rus, Vladimir Putin, i afrohet presidentit amerikan, Donald Trump, e përshëndet duke i shtrënguar dorën dhe shkëmben disa fjalë me të. Takimi i fundit mes dy presidentëve u zhvillua në gusht të vitit 2025, në Alaskë.

Presidenti kinez, Xi Jinping sot mirëpriti Trumpin, Putinin dhe liderët e tjerë që marrin pjesë në takimin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në qytetin jugor kinez. Përpara darkës zyrtare, krerët e shteteve pozuan së bashku për fotografinë familjare.

Trump, Xi dhe Putin do të zhvillojnë zyrtarisht nesër takimin e parë tripalësh mes drejtuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës dhe Rusisë.

Trump deklaroi se në këtë takim, që pritet me interes të madh, synon të diskutojë uljen e numrit të armëve bërthamore në botë. Megjithëse një marrëveshje e menjëhershme, konsiderohet pak e mundshme, ndërsa takimi mund të hapë rrugën për bisedime më të hollësishme në të ardhmen.

Një tjetër çështje që pritet të diskutohet është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Trump ka bërë përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe prej kohësh kërkon që presidenti kinez, Xi Jinping të ushtrojë ndikimin e tij te Putini për të arritur një marrëveshje paqeje.

Kremlini bëri të ditur se Putini pret gjithashtu të zhvillojë një takim të veçantë me Trump. Këshilltari i presidentit rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi për televizionin shtetëror rus se dy liderët kanë një gamë të gjerë çështjesh për të diskutuar dhe se gjatë qëndrimit në Shenzhen do të kenë disa mundësi për të biseduar.

Xi takon Putinin dhe përqafon Trumpin

Përpara mbërritjes së Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin zhvilluan bisedime dhe ndanë një vakt së bashku.

“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi këtu mes miqsh”, deklaroi Putin.

Në fjalimet e mbajtura përfaqësuesve të biznesit në kuadër të samitit APEC, të dy liderët bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ndërsa Xi Jinping theksoi rëndësinë e hapjes më të madhe ndaj tregtisë.

Presidenti kinez mirëpriti personalisht sot Trumpin në aeroportin e Shenzhenit. Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni kinez treguan dy presidentët duke u përqafuar, një gjest i pazakontë në takimet diplomatike në Kinë.

Sipas raportimeve të medieve shtetërore kineze, Xi i tha Trumpit se po ia kthente të njëjtën mirësjellje, pasi presidenti amerikan e kishte pritur personalisht në aeroport gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shtator.

Përmes këtij samiti, Kina synon të paraqitet si një partnere e rëndësishme në ekonominë globale.

Gjatë darkës zyrtare, Xi Jinping përmendi transformimin e Shenzhenit, nga një fshat i vogël peshkimi në një metropol të madh, si shembull të zhvillimit dhe inovacionit. /

Lini një koment