Haziri -“Jo në emrin tim”: Erdhëm t’i tregojmë Jakup Krasniqit se nuk është vetëm, po është bashkë me krejt Kosovën
Çlirim Haziri nga iniciativa“Jo në emrin tim” ka thënë se kanë ardhur për të takuar Jakup Krasniqin, pa bërë thirrje publike, në mënyrë që të mos shkaktojnë tensione apo të pengojnë vizitën e tij.
Jakup Krasniqi ka ardhur nga Haga për një vizitë familjare, pasi bashkëshortja e tij është e sëmurë.
Haziri tha se në këtë formë dëshirojnë t’i tregojnë Krasniqit se nuk është vetëm në përballjen e tij me procesin gjyqësor në Hagë.
“Më lart në shtëpinë e tij, qysh është emocion për familjen, është emocion edhe për ne. Edhe për këtë arsye, pa bërë thirrje publike dhe për shkak që nuk i di procedurat dhe protokollin – na kemi mundësi me ia prish këtë vizitë ndoshta e pa dashur me i tensionua – erdhëm këtu me një grup për me pa Bacën Jakup nëse do të na lejohet. Kemi dëshirë ta shohim heroin tonë, njeriun që po e përfaqëson luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare, dinjitetshëm në ato Dhoma të Specializuara e t’i tregojmë se nuk është vetëm, po është bashkë me krejt Kosovën në betejën e fundit të Kosovës për drejtësi, për liri dhe për shtetësinë e saj. Do ta takojmë gjithsesi”, tha Haziri.
Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi aktualisht po qëndron në familje në Kosovë për vizitë disa orëshe. /Telegrafi/