TEL AVIV – Ushtria izraelite nis operacionin ushtarak në Gazën qendrore
TEL AVIV, 18 nëntor /ATSH-ANSA/- Ushtria izraelite (IDF) ka nisur një operacion të ri ushtarak në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që prej tetorit 2025.
Operacioni po zhvillohet pranë të ashtuquajturës “Vijë e Verdhë”, në zonat e Bureijit dhe Nuseiratit. Sipas njoftimit të Koordinatorit të Aktiviteteve Qeveritare të Izraelit në Territoret Palestineze (COGAT), ushtria ka nisur operacionin në tri zona të identifikuara me numrat 660, 661 dhe 666.
Autoritetet izraelite deklaruan se objektivi i operacionit është goditja e infrastrukturës së Hamasit, të cilën Izraeli e cilëson si infrastrukturë terroriste.
Në kuadër të operacionit, autoritetet izraelite u kanë kërkuar banorëve palestinezë të qëndrojnë larg zonës, deri në një njoftim të mëtejshëm për përfundimin e tij.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit do të mbyllen edhe disa segmente të rrugës Salah al-Din, një nga rrugët kryesore që lidh veriun me jugun e Rripit të Gazës. Banorëve u është kërkuar të mos kalojnë në këto segmente deri në përfundimin e operacionit.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga agjencia “Reuters”, tanke dhe automjete të blinduara izraelite kanë hyrë në zonë dhe kanë avancuar përgjatë rrugës Salah al-Din. Kjo është hera e parë që mjete të tilla ushtarake hyjnë në këtë zonë, që prej vendosjes së armëpushimit në tetor 2025.
Ndërkohë, mjekët palestinezë raportuan se tre persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite gjatë ditës së sotme. Një prej tyre u vra në afërsi të zonës ku po zhvillohet operacioni, ndërsa dy të tjerë humbën jetën nga sulme të veçanta në Deir al-Balah dhe në qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite konfirmoi se po godet objektiva të Hamasit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, por nuk dha hollësi mbi kohëzgjatjen e operacionit apo përfundimin e tij.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi më 10 tetor 2025, në kuadër të planit të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe janë raportuar vazhdimisht sulme dhe viktima.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të paktën 1 600 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa ushtria izraelite ka raportuar vdekjen e pesë ushtarëve të saj.
Izraeli pretendon se Hamasi po riorganizohet dhe po riforcon kapacitetet e tij ushtarake, ndërsa organizata palestineze akuzon Izraelin se po shkel marrëveshjen e armëpushimit dhe po pengon zbatimin e saj.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1 200 persona. Sipas autoriteteve palestineze, që nga fillimi i operacionit ushtarak izraelit në Gaza kanë humbur jetën më shumë se 74 000 palestinezë. /