E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vjedhja e 700 mijë eurove në Postën e Durrësit, SPAK merr dosjen në hetim, dyshohet për një grup të strukturuar kriminal

Vjedhja e 700 mijë eurove në Postën e Durrësit, SPAK merr dosjen në hetim, dyshohet për një grup të strukturuar kriminal

Dosja e vjedhjes së 69 milionë lekëve të reja në filialin e Postës Shqiptare në Durrës merr një tjetër zhvillim.

Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë çështjen SPAK-ut, pasi dyshon se pas skemës mund të fshihet një grup i strukturuar kriminal.

Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, në skemë dyshohet se mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Vendimi vjen pas kërkesës së saj dhe mbrojtjes, e cila ka kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se provat e administruara gjatë hetimit kanë rënduar pozitën e saj procedurale.

Mataj ndodhej në paraburgim prej 18 korrikut dhe hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.

Në të njëjtën çështje nën hetim janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, të dyja me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Kalimi i dosjes në SPAK pritet të sjellë zhvillime të reja, veçanërisht për verifikimin e dyshimeve mbi një skemë më të gjerë dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.

Lini një koment