KOMENT – Samiti i paprecedentë Trump-Xi-Putin
Më herët gjatë ditës, Xi Jinping shkoi personalisht për të pritur presidentin e Shtëpisë së Bardhë në momentin e zbritjes nga avioni, një nder jashtëzakonisht i rrallë për një president kinez, i cili kështu ia ktheu gjestin e ngjashëm të Trump në shtator në Shtetet e Bashkuara.
Trump kaloi shkurtimisht krahun mbi shpatullat e Xi, i cili nuk është shumë i prirur ndaj manifestimeve të tilla të përzemërta.
Avionë luftarakë fluturuan mbi aeroport, ndërsa të rinj që valëvitnin flamuj amerikanë dhe kinezë brohorisnin “Mirë se vini ngrohtësisht!”.
Xi përsëriti dëshirën e tij për “stabilitet” në një periudhë të karakterizuar nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, si dhe pas përplasjes tregtare me pasoja globale, që pasoi rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
“Pres me kënaqësi shkëmbimin e mendimeve të thelluara me ju për çështje madhore që lidhen me marrëdhëniet kino-amerikane, bashkëpunimin në Azi-Paqësor dhe situatën ndërkombëtare, me synimin për të çuar përpara një marrëdhënie konstruktive dhe strategjikisht të qëndrueshme mes dy vendeve tona”, i tha Xi Trump, sipas agjencisë shtetërore kineze.
Trump mbërriti nga Filipinet, ku mori pjesë në një samit të liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). Të mërkurën dhe të enjten ai merr pjesë në samitin e liderëve të 21 vendeve anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Megjithatë, ky takim rajonal është lënë në hije nga takimi i paprecedentë, i planifikuar për të enjten rreth orës 14:30 (06:30 GMT), mes Trump, Xi dhe Putin, i cili po ndiqet me vëmendje të jashtëzakonshme nga aktorë të shqetësuar për marrëveshje të mundshme në dëm të tyre, si Ukraina, Evropa apo Tajvani.
Trump u parapri në Shenzhen nga Putin, i cili mbërriti gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës.
Xi dhe Putin kaluan të mërkurën më shumë se dy orë së bashku, përfshirë edhe kohën e drekës.
Sipas Kremlinit, ata pritej të diskutonin për bashkëpunimin ekonomik, por edhe për Ukrainën dhe Gadishullin Korean.
Organizimi i samitit të së enjtes ka nxitur krahasime me një “Jaltë të dytë”, duke iu referuar konferencës së vitit 1945 mes udhëheqësve të atëhershëm amerikanë, britanikë dhe sovjetikë, e cila hodhi bazat e dominimit sovjetik mbi Evropën Lindore dhe përcaktoi vijat e ardhshme të frontit të Luftës së Ftohtë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se samiti mund të mos prodhojë asgjë konkrete. Vladimir Putin deklaroi se pret një takim “me shumë dobi”, në një fjalim të mbajtur të mërkurën në mëngjes në Shenzhen. Prania e tij shënon rikthimin në një takim diplomatik me pjesëmarrjen e liderëve perëndimorë pas gati pesë vitesh.
– Takim me Kim? –
Putin deklaroi se sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës prej më shumë se 10 vitesh kanë dështuar të “shkatërrojnë” ekonominë e vendit të tij dhe hodhi poshtë politikat e bazuara në “izolim” dhe “ultimatume”.
Ndërkohë, një tjetër pjesëmarrës në samitin e APEC-ut, kryeministri kanadez Mark Carney, deklaroi se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë do të forcohen “për sa kohë që lufta në Ukrainë do të vazhdojë”.
Agjenda e samitit trepalësh të së enjtes, ashtu si edhe formati i tij, mbetet plotësisht e paqartë. Kina u tregua sërish e rezervuar të mërkurën për të dhënë hollësi mbi përmbajtjen e takimit, duke përmendur vetëm “paqen botërore”.
Trump deklaroi se synonte të diskutonte për çështjen e denuklearizimit dhe luftën në Iran, përpara se të shtonte të hënën se do të diskutohej edhe për Ukrainën. Kremlini theksoi se axhenda nuk ishte përfundimtare, por se çështja e Ukrainës me shumë gjasë do të trajtohej.
Presidenti amerikan shtoi edhe më shumë pasiguri, duke përmendur mundësinë e një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë vizitës së tij në Kinë.
Samiti zhvillohet në një kohë kur në Gji po regjistrohen akte të reja dhune dhe armiqësitë në Ukrainë vijojnë.
– Mik i vjetër” –
Donald Trump kërkon të arrijë suksese diplomatike që mund të ndihmojnë në zbehjen e humbjes së rëndë elektorale në zgjedhjet afatmesme parlamentare.
Xi Jinping synon të konsolidojë pozicionin e vendit të tij si një aktor i pazëvendësueshëm në skenën ndërkombëtare.
Për Vladimir Putin, bëhet fjalë për të mbështetur narrativën e një Rusie që, megjithëse e përfshirë në luftën në Ukrainë dhe e nënshtruar ndaj sanksioneve të shumta ekonomike, vazhdon të ruajë statusin e një “fuqie të madhe”.
Takimi mes Xi dhe Putin ishte i katërti ballë për ballë gjatë këtij viti dhe i 50-ti, fizikisht ose në distancë, që prej vitit 2013 dhe ardhjes së Xi në presidencën kineze, sipas këtij të fundit.
“Marrëdhëniet dypalëshe kanë sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në një botë të karakterizuar nga ndryshime të ndërlidhura dhe trazira”, deklaroi Xi, pasi e përshëndeti Putinin si “mikun e tij të vjetër”.
Ai shprehu dëshirën që të dy vendet të bashkëpunojnë për krijimin e një “bote shumëpolare”, një synim i shprehur gjithashtu nga homologu i tij.
“Ne kemi një objektiv të përbashkët për të garantuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Azi-Paqësorit”, deklaroi Vladimir Putin.
Putin pritet gjithashtu të zhvillojë një bisedë me Trump, njoftuan autoritetet ruse.
“Udhëheqësit do të takohen, do të zhvillojnë një bisedë të vërtetë, pavarësisht nëse do të ulen në kolltuqe, në karrige apo në stola, ose thjesht do të flasin në këmbë, duke parë njëri-tjetrin në sy”, deklaroi Yuri Ushakov, këshilltar i Kremlinit, për një televizion rus./ a.jor.