Vrasja në Suharekë: vdes 60-vjeçari i qëlluar me armë zjarri, arrestohet i dyshuari në afërsi të Nepërbishtit
Një person rreth 60-vjeçar, me inicialet S.D., ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën mesditën e sotme në Suharekë, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për këtë vrasje, siç njofton KosovaPress.
Sipas raportimit të Telegrafit, ngjarja është raportuar sot rreth orës 12:20 në qytetin e Suharekës, ku një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 60-vjeçarit. Viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë, por më vonë ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se pas veprimeve operative dhe hetimore, Policia arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarin në afërsi të fshatit Nepërbisht, teksa ai po tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar për Telegrafin arrestimin e të dyshuarit dhe sekuestrimin e armës me të cilën është kryer vepra penale, duke shtuar se në këtë fazë nuk mund të konfirmojë më tepër dhe se veprimet e tjera hetimore janë duke u ndërmarrë në terren.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.