“Boll me benzinë e dhunë”- Buxheti 2027, Spahiu-Opozitës: Mendjen e keni te Asambleja e PS, s’dhatë asnjë ops
Ndërsa mori fjalën në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë i tha opozitës se diskutimi për buxhetin duhet të ishte zhvilluar te përmirësimi i shërbimeve dhe jo te sulmet.
Ajo tha se vëmendja ndaj qytetarëve e jo Asamblesë së PS duhet të ishte fokusi kryesor. Më tej, u kërkoi të heqin dorë nga benzina e protestat e dhunshme.
“Pse duhet që çdo deputet i opozitës mos ta miratojë këtë buxhet kur e gjen veten në kërkesat që ka pasur në çdo komision? Unë do ta kisha vlerësuar shumë më tepër nëse kolegët e opozitës do të ishin investuar më tepër në opsione se çfarë mund të ndryshojë buxheti sesa në Asamblenë e PS.
Vëmendja e tyre kryesore është se çfarë po bën PS. Vëmendja e tyre duhet të ishin qytetarët. Ju duhet të ndani mendjen, a duhet apo s’duhet që tani që i kemi burimet financiare, t’i ofrojmë apo jo disa shërbime? A keni ju ndonjë opsion tuajin çfarë mund të bëhet më mirë? Kështu duhet të diskutohet më mirë dhe jo të vini e të nxini këtu çdo investim të kryer.
Pashë deputetë sot që janë çuar jo 1 herë, por 10 herë dhe e vetmja fjalë që kanë është të karikojnë qytetarët. Boll me benzinën, boll me protesta të dhunshme! Kthehuni te qytetarët”, tha Spahiu.