“Një ekonomi më e fortë”- Buxheti 2027, Koçiu: 10 mld euro që do ndihet te shporta e qytetarëve dhe pensionistëve!
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka theksuar se fokusi kryesor i qeverisë mbetet përkthimi i rritjes ekonomike në mirëqenie konkrete për çdo familje shqiptare.
Duke iu referuar buxhetit për vitin 2027, Koçiu u shpreh se një ekonomi më e fortë nuk është thjesht një shifër makroekonomike, por duhet të reflektohet drejtpërdrejt në përditshmërinë e çdo qytetari.
“Një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve: në shportën e ushqimeve, në faturën e karburantit, në të ardhurat e pensionistëve, në mbështetjen për fëmijët dhe në mundësitë për të rinjtë”, shprehet Koçiu, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale.
Sipas Koçiut, buxheti 2027, i cili kap vlerën e10 miliardë eurove, mishëron vizionin për Shqipërinë Europiane dhe zhvillimin e vendit.
“Ky është thelbi i Buxhetit 2027, prej 10 miliardë eurosh, dhe vizioni ynë për Shqipërinë Europiane: një vend më i zhvilluar, ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim te e ardhmja”, thekson në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Koçiu.