E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Futbolli ne Kosove›“Lëndova një komb të tërë”, Hajrizi vjen me mesazh prekës pas gabimit ndaj Irlandës

“Lëndova një komb të tërë”, Hajrizi vjen me mesazh prekës pas gabimit ndaj Irlandës

Kreshnik Hajrizi ka reaguar me një mesazh emocionues pas gabimit ndaj Irlandës, ku u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Kosovën me një lojtar më pak në humbjen 3-0 në Dublin. Siç njofton Telegrafi, mbrojtësi nuk i fshehu emocionet pas disfatës, mori përgjegjësinë dhe kërkoi falje publike për tifozët, bashkëlojtarët dhe popullin.

“Një moment jashtëzakonisht i vështirë për t’u përjetuar, pa dyshim një nga momentet më të dhimbshme të karrierës sime”, shkroi Hajrizi në rrjetet sociale.

“Sot ndiej një zhgënjim të madh dhe një dëshpërim të thellë. Kam bërë një gabim që pati pasoja të rënda dhe që lëndoi një vend të tërë, një komb të tërë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj dhe dua të kërkoj falje me gjithë zemër”, vijoi ai.

“Të gjithë tifozëve Dardanë që ishin të pranishëm në stadium, të gjithë atyre që brohoritën, shpresuan dhe mbështetën ekipin tonë, si dhe çdo personi që e mban Kosovën në zemër, ju kërkoj falje. Dua të kërkoj falje edhe ndaj bashkëlojtarëve të mi. Faleminderit të gjithëve që vazhdojnë të na mbështesin, edhe në momentet më të vështira. Forca Kosovë!”, përfundoi mbrojtësi, duke shprehur dashuri dhe respekt për fanellën dhe kombin.

Hajrizi u ndëshkua me të kuq në pjesën e parë, pas ndërhyrjes me dorë në vijën e portës; Irlanda fitoi penallti dhe në fund e fitoi ndeshjen 3-0.

Lini një koment