Çitaku i drejtohet Jakup Krasniqit: Nuk do t’ju lëmë vetëm, do të lëvizim çdo gur që të ktheheni të lirë në Kosovë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i ka kushtuar një mesazh ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke i shprehur mbështetje pas vizitës së tij të fundit në Prishtinë.
Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se ishte emocionuese ta shihnin Krasniqin sërish në Prishtinë, pranë familjes së tij, edhe pse vetëm për disa orë.
Ajo i ka përcjellë atij mesazh solidariteti, duke theksuar se nuk do të ndalen përpjekjet për kthimin e tij dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Kosovë.
“Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes, qoftë edhe vetëm për pak orë.
Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm. Do të lëvizim çdo gur që të ktheheni sa më shpejt të gjithë në Kosovë, të lirë e krenarë, larg prangave e padrejtësisë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se vendi i tyre është në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve.
“Në atdheun tuaj, pranë familjeve tuaja e në mesin e popullit tuaj. Këtu e keni vendin dhe dashurinë e secilit prej nesh! Na mungoni shumë, çlirimtarë!”, ka përfunduar Çitaku.
Jakup Krasniqi është njëri nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Telegrafi.