Shiroka Pula kërkon mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Dux. Në takim u theksuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet dy vendeve, siç njofton KosovaPress.
Shiroka Pula shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës që nga periudha e luftës, përfshirë procesin e shtetndërtimit dhe përpjekjet për konsolidimin ndërkombëtar të vendit.
Ajo vuri në pah rëndësinë e mbështetjes së Hungarisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe në avancimin e integrimit evropian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian.
Në takim u diskutua edhe rëndësia e zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Presidentja theksoi nevojën për organizimin e takimit të ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, me përfshirjen e përfaqësuesve të biznesit, për të identifikuar sektorët me potencial dhe për të nxitur investimet e reja.