E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Amerika›Senati voton 65 me 31 për mbylljen e debatit për reformën e lejeve, votimi final pritet të premten

Senati voton 65 me 31 për mbylljen e debatit për reformën e lejeve, votimi final pritet të premten

Senati i Shteteve të Bashkuara bëri të mërkurën një seri votimesh kyçe që çuan përpara projektligjin e reformës së lejeve, Bipartisan American Affordability and Jobs Act (BAAJA), i cili synon të përshpejtojë ndërtimin e infrastrukturës dhe të projekteve të energjisë në të gjithë vendin.

Dhoma e lartë e çoi përpara projektligjin me 65 vota pro dhe 31 kundër, duke kaluar pragun prej 60 votash të nevojshëm për mbylljen e debatit, siç njofton The Hill.

Senatorët miratuan gjithashtu me 69-27 një amendament menaxherial të publikuar të martën vonë, sipas Bloomberg Government. Votimi final i miratimit pritet herët të premten, nëse senatorët nuk bien dakord për një marrëveshje kohe që e përshpejton atë.

Projektligji pritet të kalojë ende një proces amendamentesh. Disa ligjvënës kërkojnë ndryshime, përfshirë shqetësimet e fiseve vendase se ndryshimet në ligjin e ruajtjes historike nuk u japin zë të mjaftueshëm në projektet që prekin vendet e tyre.

Autorë të projektligjit janë senatorët Shelley Moore Capito, Sheldon Whitehouse, Mike Lee dhe Martin Heinrich. Mes masave kryesore janë përshpejtimi i linjave të transmetimit — rregullatorët federalë mund t’i miratojnë ato nëse shtetet nuk veprojnë — ndalimi i anulimit nga presidentët të lejeve ekzistuese, kufizimi i padive, me afat 150 ditë dhe vetëm për personat që kanë komentuar publikisht, si dhe detyrimi që qendrat e të dhënave të paguajnë kostot e kërkesës së tyre të lartë për energji.

Mbështetësit thonë se projektligji do të ndihmojë ekonominë dhe do të ulë emetimet përmes përfitimeve për energjinë e rinovueshme, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se ai favorizon karburantet fosile dhe minierat, zbut ligjet mjedisore dhe kufizon paditë në gjykatë.

Rruga në Dhomën e Përfaqësuesve është më e pasigurt. Projektligji ka mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë, por përballet me axhendën e ngjeshur të sesionit lame-duck dhe afatin e financimit federal në dhjetor.

Lini një koment