E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Tabaku zbulon votën e PD-së për buxhetin: Refuzuam propagandën bajate të Ramës

Tabaku zbulon votën e PD-së për buxhetin: Refuzuam propagandën bajate të Ramës

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në një lidhje live në Now me Erla Mëhillin, ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me projektbuxhetin dhe paketën fiskale, duke e cilësuar atë si mungesë totale vizioni dhe transparence.

Duke folur për mungesën e konsultimeve reale dhe ndryshimet e njëpasnjëshme të qëndrimeve zyrtare, Tabaku u shpreh se qeveria ndryshon versionet nga dita në ditë dhe nuk ka një plan të qartë për dividendin apo fermerët.

“Këshillit tatimor ministri i financave i tha “Nuk ndërrohet buxheti.” Të nesërmen shkoi zëvendësministri dhe tha: “Na e sollën kështu gati, do ndërrohet buxheti.” Ky është konsultimi. Ka dhënë katër variante të ndryshme se si do paguhet dividendi, edhe sot na dha një variant tjetër. Këto akoma nuk e dinë se si do paguhet dividendi. Dha një variant tjetër edhe për fermerët: “Fermerët nuk do përfshihen në TVSH se do ndryshohet VKM-ja.” Po u ndryshua VKM-ja 822, pse nuk i ke ndryshuar, pse nuk i përfshive dhe fermerët këto? Shiko, është shumë e vështirë që të bësh një debat profesional me njerëz që gënjejnë pa iu skuqur fytyra”, u shpreh Tabaku.

Deputetja kritikoi gjithashtu ndryshimin e skemës së TVSH-së, duke theksuar se ulja e saj në 6% anulohet nga rritjet e tjera dhe se kjo dëmton një nga shtyllat më solide të sistemit fiskal.

“Po të kishim një treg perfekt që do të funksiononte në mënyrë perfekte, ulja e TVSH-së duhet të ishte për t’u përshëndetur. Por masa e uljes së TVSH-së në 6% me rritje në 21%, siç tha Bardhi atje vetë në relacion, zerojnë njëra-tjetrën. Dhe sinqerisht, unë nuk e di se kush ka qenë ajo mendje brilante që ka prishur një nga shtyllat më solide të sistemit fiskal, që është TVSH-ja. Një nga shtyllat më solide ka qenë TVSH-ja 20%”, theksoi ajo.

E pyetur nga gazetarja Erla Mëhilli në lidhje me dinamikat brenda Kuvendit dhe vendimin e opozitës për të braktisur sallën gjatë fjalës së kryeministrit Rama, Tabaku sqaroi se kjo nuk ishte një strategji e mirëfilltë, por një reflektim ndaj propagandës.

“Unë nuk besoj që ishte ndonjë strategji. Thjesht besoj që pjesa më e madhe e kolegëve refuzuan që të dëgjojnë të njëjtën propagandë bajate të Ramës. Ne ishim aty për buxhetin, nuk ishim për Ramën as për ministrat, ishim për qytetarët. Në fund të ditës qytetarët do e vuajnë në kurriz, buxheti s’ka për ta vuajtur as Rama, as ministrat”, u shpreh ajo.

E pyetur gjithashtu nëse opozita do të qëndrojë në seancë vetëm sa për të bërë fjalimet apo do të marrë pjesë në votim, Tabaku konfirmoi se votimi i tyre është kundër.

“Vota është kundër! Do shohim deri në fund se si do shkojë, por vota është kundër. Është e qartë”, deklaroi Tabaku.

Lini një koment