Bardhi ndan pamjet: E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, pengimi i saj përbën vepër penale
Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje nga protesta e studentëve teksa shkruan se e drejta për të tubuar dhe protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë.
Ai shton se kjo e drejtë nuk mund të cënohet dhe as nuk mund të shuhet përmes gjobave. Sipas tij, cilido që pengon ushtrimin e të drejtës për protestë paqësore po kryen vepër penale.
“E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës policore.
Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të penguar ushtrimin e një të drejte themelore. Cilido që pengon arbitrarisht ushtrimin e të drejtës për protestë paqësore kryen vepër penale. Pengimi i ushtrimit të së drejtës për tubim dhe manifestim nuk mund të mbetet pa përgjegjësi”, shkruan Bardhi.