E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Miratohet Buxheti rekord prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027, 80 vota pro edhe për Paketën Fiskale

Miratohet Buxheti rekord prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027, 80 vota pro edhe për Paketën Fiskale

Kuvendi, pak pas mesnate, miratoi në parim me 80 vota projektbuxhetin për vitin 2027, i cili synon rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, si dhe mbrojtjen e kategorive sociale.

Projektbuxheti i vitit 2027 arrin në mbi 10 miliardë euro, duke u cilësuar si buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë në vend.

Ai garanton rritjen e mbështetjes financiare në të gjithë sektorët, me fokus të veçantë te mbrojtja sociale, arsimi, shëndetësia, bujqësia, mbrojtja dhe siguria e vendit.

Ky projektbuxhet qëndron mbi tri shtylla të forta: mirëqenien sociale dhe mbrojtjen për qytetarët; stabilitetin fiskal dhe financat publike të qëndrueshme; investimet, reformat dhe proceset integruese në Bashkimin Europian.

Në vijim deputetët miratuan edhe pesë projektligje që lidhen me paketën e re fiskale.

Konkretisht me 80 vota pro u miratuan disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, si dhe disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”.

Po ashtu me 79 vota pro u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”, ndërsa ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për akcizat”, u miratuan me 80 vota pro.

Kuvendi miratoi me 70 vota disa ndryshime në ligjin “Për strehimin social”.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe projektvendimin për një ndryshim në vendimin e Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo – Territoriale”.

Lini një koment