Më shumë se 10 shkolla evakuohen në Galicia pas kërcënimeve të rreme me bombë me email
Më shumë se 10 shkolla në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Galicia, u evakuuan të mërkurën pasi morën kërcënime të rreme me bombë përmes emailit, tha Policia Kombëtare, siç njofton Reuters.
Email-et iu dërguan drejtpërdrejt shkollave, shtoi një zëdhënës i policisë, pa zbuluar përmbajtjen e tyre, dhe autoritetet nuk mundën të konfirmonin numrin e saktë të shkollave të prekura. Njësitë e specializuara të policisë kontrolluan ndërtesat dhe nuk gjetën asnjë pajisje të dyshimtë.
Kërcënimet janë të fundit në një seri mashtrimesh dhe sulmesh kibernetike që kanë shënjestruar gjithashtu supermarkete, banka gjaku, sisteme të trafikut ajror dhe transmetues në mbarë Evropën. Një javë më parë, mijëra shkolla në Itali u shënjestruan nga mashtrime të ngjashme, dhe qeveria italiane tha se ndërtesat publike duhet të boshatisen vetëm nëse ka prova konkrete rreziku.
Autoritetet në Skoci, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës thanë javën e kaluar se shumë shkolla kishin marrë email-e të ngjashme kërcënuese nga jashtë vendit, por i klasifikuan si mashtrime dhe lejuan vazhdimin e mësimit. Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se Rusia mund të jetë pas një fushate çrregullimi të jetës së përditshme në vendet evropiane që mbështesin Ukrainën pas pushtimit të Moskës; Rusia e mohon përfshirjen dhe akuzon Perëndimin për fushatë shpifjeje.