SHBA dhe Venezuela nënshkruajnë marrëveshje për të rivendosur lidhjet ushtarake, thotë Hegseth në Karakas
Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë nënshkruar një marrëveshje për të rivendosur lidhjet ushtarake, që do të përfshijë stërvitje të përbashkëta deri te ndarja e informacioneve të zbulimit, tha të mërkurën në Karakas sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas agjencisë Associated Press (AP).
Hegseth, i cili po viziton udhëheqësit e përkohshëm të vendit, e paraqiti marrëveshjen si një kthesë pas kapjes në janar të presidentit të atëhershëm Nicolás Maduro nga forcat amerikane, duke thënë se Venezuela “ka kaluar nga kërcënimi ynë rajonal më agresiv në një partner të bindur sigurie”.
Ai vlerësoi “bashkëpunimin e ngushtë” me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez, që sipas tij bëri të mundur stabilizimin e Venezuelës dhe luftën ndaj rrjeteve të narkoterrorizmit, ndërsa Rodríguez tha se bashkëpunimi ushtarak mund të çohet “në nivelin më të lartë të mundshëm” për të përballuar kërcënimet e përbashkëta.
Sipas AP, Hegseth dha pak detaje konkrete, përveçse tha se ushtritë e dy vendeve do të “stërviten së bashku, do të bashkëpunojnë, do të ndajnë informacione, do të kenë më shumë pajisje dhe aftësi mbrojtëse së bashku”, ndërsa Pentagoni nuk dha menjëherë detaje të mëtejshme.
Vizita vjen në kuadër të përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për të thelluar ndikimin në Venezuelë, ku marrëveshja për naftën, e ndërmjetësuar sipas Trump nga Hegseth në gusht, i jep SHBA-së kontroll mbi një pjesë të rezervave venezuelase. Hegseth tha se kjo marrëveshje e bën “Ngushticën e Hormuzit një faktor të parëndësishëm për Hemisferën Perëndimore”, pas ndërprerjeve të furnizimit me energji nga lufta në Iran.
Sipas AP, e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e pasigurt: Rodríguez, aleate e Maduros, vazhdon të funksionojë si kryetare e shtetit edhe pse mandati i saj i lejuar nga gjykata skadoi në korrik, ndërsa liderja e opozitës María Corina Machado u kthye së fundmi nga mërgimi. Sekretari i Shtetit Marco Rubio e ka cilësuar kthimin e saj si rezultat të bisedimeve të pajtimit, ndërsa mungesa e një date për zgjedhjet e ardhshme presidenciale i ka lënë shumë venezuelianë të ndarë mes lehtësimit për largimin e Maduros dhe shqetësimit se Shtëpia e Bardhë po i jep përparësi naftës para demokracisë.