E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Jeronim De Rada, frymëzuesi dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare

Jeronim De Rada, frymëzuesi dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare

Më 19 nëntor të vitit 1814, në Makia të Kalabrisë lindi Jeronim de Rada.

Shkrimtari, poeti dhe folkloristi De Rada u be ideolog e frymëzues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Jeronim de Rada u shkollua në kolegjin e mirënjohur të Shën Adrianit në Shën Mitër Korona. Me 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Në 1848 nxori gazetën e parë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1818 gazeta u mbyll dhe ai u rikthye në fshatin e lindjes, ku qëndroi deri në fillim të viteve ’60 të shekullit të 19-të.

Prej vitit 1861, De Rada filloi të shfaqej si një nga figurat më në zë te Rilindjes Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

Jeronim De Rada mbajti korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirës të Shqipërisë si dhe ndoqi me interes ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare dha me revistën “Flamuri Arbrit” që e botoi në vitet 1883-1885.

Jeronim De Rada u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, në vitin 1903, në Kalabri.

Në arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruhet një foto e bustit të De Radës (1963) i cili iu dhurua komunitetit arbëresh të Kozencës.

Lini një koment