E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sejnur Veshall emërohet koordinator për zbatimin e Strategjisë Shtetërore për Rininë 2024-2032

Sejnur Veshall emërohet koordinator për zbatimin e Strategjisë Shtetërore për Rininë 2024-2032

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka ndërmarrë një hap në drejtim të zbatimit të Strategjisë Shtetërore për Rininë 2024–2032, përmes një vendimi për caktimin e koordinatorit përgjegjës për zbatimin e kësaj strategjie.

Në këtë pozitë ministria ka caktuar zëvendësministrin Sejnur Veshall.

Sipas vendimit nr. 102/2026, të datës 18 nëntor 2026, koordinatori do të jetë përgjegjës për koordinimin e punës në nivel të ministrisë dhe realizimin e masave dhe aktiviteteve të parapara në strategji dhe planin përkatës të veprimit.

Në kuadër të detyrave të tij, Veshall do të koordinojë bashkëpunimin me Agjencinë për Zhvillimin e Rinisë dhe njësitë përgjegjëse të ministrisë, si dhe do të organizojë takime me institucionet e tjera zbatuese për çështjet që kërkojnë veprim të përbashkët.

Po ashtu, ai do të informojë ministrin çdo tre muaj për ecurinë e zbatimit të strategjisë, sfidat, pengesat dhe vonesat eventuale, duke propozuar edhe masa për adresimin e tyre.

Vendimi parasheh që Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë të sigurojë mbështetjen administrative për realizimin e këtyre detyrave, ndërsa ministria do të monitorojë zbatimin e strategjisë dhe do të raportojë në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/

Lini një koment