E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sërish shtyhet seanca për Specialen, Kuvendi nis seancë të re plenare

Sërish shtyhet seanca për Specialen, Kuvendi nis seancë të re plenare

Është shtyrë deri në një vendim tjetër, mbajtja e vazhdimit të seancës plenare, ku në rend dite ishte edhe Ligji për Specialen.

Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola tha se nga konsultimet e ngjeshura me shefat e grupeve parlamentare vazhdimi i seancës me tri pikat në rend dite është shtyrë deri në një vendim tjetër.

“Nga konsultimet e ngjeshura me shefat e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit politikë të grupeve parlamentare konsideruam që seanca që është thirrur për vazhdim me tri pikat të shtyhet deri në një vendim tjetër”, tha ai.

Në rend dite të vazhdimit të seancës ishte votimi i Propozim Rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike.

Po ashtu në rend dite ishte votimi i Propozim Rezolutës nga Mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Ndërkaq, pikë e tretë është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të rikthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, para nisjes së seancës së re plenare, ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një deklaratë të shkurtër tha se ka marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për Ligjin për Specialen.

“Ka marrëveshje”, tha shkurt Çitaku para se të hynte në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës po vazhdon me seancë të re plenare. /Telegrafi/

Lini një koment