E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“10 mld euro janë spekulim madhor”, Berisha për buxhetin 2027: Pensionistëve u është lënë vetëm 1% e GDP-së

“10 mld euro janë spekulim madhor”, Berisha për buxhetin 2027: Pensionistëve u është lënë vetëm 1% e GDP-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj buxhetit të vitit 2027, të miratuar në parim me 80 vota në Kuvend, duke e cilësuar shifrën prej 10 miliardë eurosh të reklamuar nga qeveria si një “spekulim madhor”. Berisha ka akuzuar mazhorancën për shpërndarje të padrejtë të fondeve, duke kërkuar dyfishimin e pensioneve, rritjen e pagave të ulëta me 50% dhe atyre të mesme me 30%. Në një komunikim për mediat, kreu i demokratëve deklaroi se madhësia e buxhetit duhet parë edhe në raport me kursin e këmbimit, duke pretenduar se, nëse do të përdorej kursi i vitit 2013, buxheti aktual do të ishte 5.5 miliardë euro.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, edhe njëherë rikthehem tek buxheti i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro. Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme. Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet, me kursin e këmbimit, se kjo bazohet tek narkoeuro, kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh. Kjo është e vërteta”, deklaroi Berisha.

Një pjesë të rëndësishme të reagimit të tij, Berisha ia kushtoi fondeve të parashikuara për pensionistët. Sipas tij, nga buxheti i reklamuar prej 10 miliardë eurosh, për këtë kategori janë lënë vetëm 300-350 milionë euro.

“Por në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së. U janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta. Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë. Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët”, u shpreh kreu i PD-së.

Kreu i demokratëve prezantoi propozimet e tij për ndryshimin e shpërndarjes së buxhetit, duke kërkuar përgjysmimin e shpenzimeve operative dhe orientimin e fondeve drejt pagave dhe pensioneve.

“Përgjysmim i menjëhershëm i të gjitha shpenzimeve operative është absolutisht pa asnjë pasojë në funksionimin e administratës, përkundrazi krijimin e një mjedisi më transparent dhe më pak korruptiv”, tha ai.

Berisha kritikoi gjithashtu numrin e automjeteve në dispozicion të drejtuesve të administratës, duke pretenduar se ulja e këtyre shpenzimeve do të sillte kursime të konsiderueshme për buxhetin. Më tej, ai kërkoi dyfishimin e menjëhershëm të mbështetjes financiare për pensionistët.

“Po çfarë u dhatë vitin e kaluar? Njerëz të pashpirt. U dhatë thërrime dhe grimca qesharake. Dhe tani bërtasin dhe po i lumturojnë se po u dyfishojnë atë që dhanë vitin e kaluar. Paratë janë që të gjitha. Absolutisht pa asnjë lloj pasoje negative, përveçse shumë pozitive sepse i nxjerr nga dhimbja. Pra dyfishim i menjëhershëm”, u shpreh kreu i PD-së. Sa i përket pagave, Berisha kërkoi rritje me 50% për pagat e ulëta dhe me 30% për pagat e mesme, ndërsa për pagat e larta propozoi të mos ketë rritje. “Rritje me 50 përqind të rrogave të ulëta. Me 30 përqind të rrogave të mesme. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Asnjë qindarkë! Po, rrogat e ulëta do rriten. Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro”, deklaroi Berisha.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment