E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Bosnje-Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiçit, e cilëson kërcënim për sigurinë kombëtare

Bosnje-Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiçit, e cilëson kërcënim për sigurinë kombëtare

Bosnje-Hercegovina i ka ndaluar hyrjen në vend Milan Radoiçiçit, duke e cilësuar atë kërcënim për sigurinë kombëtare, siç njofton Shqiptarja.com, duke iu referuar burimeve të sigurisë që e konfirmuan vendimin për Radion Evropa e Lirë. Vendimi, sipas të njëjtave burime, u mor më 13 nëntor, vetëm katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte ndalimin e tij dhe ta shpallte në kërkim.

Radoiçiç nuk u paraqit në polici më 15 nëntor, duke shkelur detyrimin e paraqitjes së rregullt, një masë mbikëqyrjeje në kuadër të çështjes së Banjskës. Institucionet boshnjake nuk dhanë detaje mbi vendimin, por burimet e sigurisë theksuan se nëse ai përpiqet të hyjë në vend, hyrja do t’i refuzohet ose do të ndalohet në kufi.

Vendndodhja e Radoiçiçit mbetet e panjohur. Më herët atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte ndaluar të largohej nga vendbanimi pa leje, si dhe të udhëtonte drejt Kosovës. Ai u zhduk pasi Partia Përparimtare Serbe (SNS) humbi zgjedhjet e mbajtura në fund të tetorit në Serbi. Raporte të pakonfirmuara thonë se ai ishte larguar drejt Rusisë, por këtë nuk e kanë konfirmuar as Ministria e Brendshme e Serbisë, as BIA dhe as Ambasada e Rusisë në Beograd.

Radoiçiç mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë. Në Serbi ai hetohet për vepra që lidhen me sigurimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, por pas tre vjetësh ende nuk ka aktakuzë. Kosova ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiçin, e gjykoi në mungesë dhe lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar përmes UNMIK-ut, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kishin sanksionuar më herët. Vendimi i Sarajevës erdhi disa ditë pasi bashkëpunëtori i tij i hershëm në biznes, Zvonko Veselinoviq, u largua nga Bosnje-Hercegovina më 11 nëntor, nga Sarajeva drejt Turqisë, duke përdorur një pasaportë serbe, sipas burimeve të sigurisë për Radion Evropa e Lirë.

Lini një koment