IZRAEL – Opozita propozon kufizimin e mandatit të kryeministrit në tetë vjet
TEL AVIV, 19 nëntor /ATSH-ANSA/- Deputeti Oded Forer, nga partia “Yisrael Beiteinu”, e drejtuar nga Avigdor Lieberman dhe pjesë e koalicionit opozitar “Blloku i Ndryshimit”, ka paraqitur një projektligj që synon të kufizojë në tetë vjet, kohëzgjatjen e mandatit të kryeministrit të Izraelit.
Nisma synon të parandalojë qendrimin e pushtetit në duart e një kryeministri, për një periudhë shumë të gjatë dhe të krijojë mundësi për rotacionin e drejtimit të qeverisë.
Projektligji parashikon gjithashtu kufizime për caktimin e një anëtari të Knesset-it (Parlamentit të Izraelit) për formimin e qeverisë, në rast se ndaj tij është ngritur një aktakuzë për vepra të rënda penale.
Sipas propozimit, parashikohet edhe një mekanizëm për t’i dhënë fund mandatit të kryeministrit, në rast se vërtetohet se veprat penale për të cilat ai akuzohet, përbëjnë shkelje të rënda të integritetit moral.
Nisma lidhet edhe me çështjen e kryeministrit aktual, Benjamin Netanyahu, i cili prej më shumë se gjashtë vitesh, përballet me një proces gjyqësor për akuza që përfshijnë korrupsion, mashtrim dhe shpërdorim të besimit publik.
Netanyahu ka drejtuar qeverinë izraelite për rreth 19 vjet, në disa periudha të ndryshme, përfshirë 12 vite radhazi nga viti 2009 deri në vitin 2021.
Sipas propozimit, një deputeti ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për vepra të rënda penale, nuk duhet t’i jepet detyra për formimin e qeverisë.
Nisma synon gjithashtu, të vendosë rregulla për rastet kur kryeministri mund të humbasë të drejtën për të ushtruar detyrën.
Përsa i përket largimit nga detyra, projektligji parashikon një mekanizëm, që do të mundësonte përfundimin e mandatit të kryeministrit, nëse veprat penale për të cilat ai akuzohet, vlerësohen se përbëjnë shkelje të rëndë të integritetit moral.
Projektligji është një nismë e opozitës dhe duhet të kalojë procedurat parlamentare për t’u bërë ligj. Ai nuk nënkupton largimin e menjëhershëm të kryeministrit aktual. /