ÇEKI – Një viktimë pasi një autobus me fëmijë përplaset me një makinë
PRAGË, 19 nëntor /ATSH-DPA/ – Një autobus që transportonte rreth 30 fëmijë të moshës parashkollore u përplas me një makinë që vinte nga drejtimi i kundërt duke shkaktuar një viktimë.
”Drejtuesja e makinës humbi jetën në aksident”, bëri të ditur një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit, sipas agjencisë çeke të lajmeve CTK.
Dhjetë fëmijë dhe katër të rritur mbetën të lënduar, pesë prej tyre me lëndime mesatare, ndërsa të tjerët me lëndime të lehta. Të lënduarit u dërguan në spitalin universitar në Plzenit.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregonin autobusin të ngecur në një kënd mbi një argjinaturë pas përplasjes.
Një barrierë mbrojtëse pengoi rënien e tij poshtë shpatit. Zjarrfikësve iu desh t’i nxirrnin pasagjerët përmes dritareve.
“Fëmijët qanin, pasi nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur”, tha një dëshmitar okular për portalin çek “Novinky”.
Aksidenti ndodhi në një rrugë shtetërore pranë Tremornas, rreth 10 kilometra në veri të Plzenit, në Boheminë perëndimore.
Shkaku i përplasjes mbetet ende për t’u përcaktuar./ a.jor.