“U korrigjua një gabim strategjik”- Rama në Samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin: Evropa më në fund
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë këtë të enjte në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing) në Berlin, me ftesë të Kancelarit Federal të Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në një prononcim për mediat gjatë mbërritjes në kryeqytetin gjerman, kreu i qeverisë shqiptare e vlerësoi takimin si një moment të rëndësishëm në zhvillimet aktuale gjeopolitike, duke veçuar rëndësinë e vendimeve të marra më herët në Dublin për unifikimin e qasjes diplomatike evropiane.
Sipas kryeministrit Rama, krijimi i një grupi përfaqësues që flet në emër të të gjithë kontinentit përbën një kthesë të nevojshme në raportet me Moskën.
“Ishte një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh, dhe veçanërisht pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Evropës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te dinamika e deritanishme e diplomacisë evropiane, Rama e cilësoi mungesën e një përfaqësimi të tillë të unifikuar në fazat e para të konfliktit si një mangësi të qartë strategjike, e cila tashmë po adresohet.
“Evropa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Evropën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim”, deklaroi Rama.
Ai kujtoi se në fillim pati disa përpjekje për komunikim të cilat më pas u ndërprenë plotësisht, ndërsa shtoi se procesi tashmë ka hyrë në një fazë të re.
“Tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi kryeministri.