27 ton mish derri të bllokuara në Fier, Sula: 4 inspektorë largohen nga detyra për shkelje
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Fier ka bllokuar 27 ton mish derri, pasi mishi vinte nga një fermë e pacertifikuar në Brazil dhe nuk lejohej të eksportohej.
Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula deklaroi në emisionin “Studio Live” në Report TV, siç njofton Shqiptarja.com, se janë larguar nga detyra 4 inspektorë për shkelje: 3 të Durrësit dhe 1 i AKU-së në Fier, për këtë situatë. Vendimi, sipas tij, është zbardhur sot, ndërsa subjekti është kaluar për ndjekje penale.
Sula tha se që kur ka ardhur në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm janë larguar nga detyra 15 inspektorë. Në Shkodër, shtoi ai, u shkarkuan 6 inspektorë, ku sipas tij abuzohej prej gati 2 vjetësh.
Kryeinspektori theksoi tolerancë zero ndaj shkeljeve dhe tha se ka mbështetje shumë të fortë nga kryeministri Edi Rama për zbatimin e ligjit, pa asnjë ndërhyrje apo presion politik.