Bardhi: Policia po shkel ligjin dhe kërkon ta shtypë protestën me dhunë, ja pse PD iu bashkua studentëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, komentoi në një intervistë për emisionin “Prime News” në News24 protestat në Tiranë, siç njofton BalkanWeb, duke akuzuar Policinë për dhunë joproporcionale ndaj protestuesve.
Sipas Bardhit, Policia po shkel ligjin dhe kërkon ta shtypë protestën me dhunë. Ai tha se sjellje të gabuara nga ana e efektivëve janë vërejtur edhe sot gjatë protestës.
Bardhi shpjegoi se Partia Demokratike vendosi t’i bashkohet protestës së studentëve dhe e mbështeti atë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të saj të qëndrojnë pranë studentëve, pikërisht sepse ndaj tyre u ushtrua dhunë.
Ai theksoi se për këtë vendim nuk ka pasur debate të brendshme në PD. Mbështetësit u thirrën të jenë të pranishëm në tre të shtuna, për të organizuar mbështetjen për studentët.
Sipas Bardhit, kur PD organizoi strukturat e saj, pjesëmarrja në protestë u bë më e madhe dhe më e dukshme.