Piantedosi: vala e sulmeve kibernetike dhe alarmeve të rreme synon destabilizimin e Italisë, por nuk ka kërcënim konkret
Vala e sulmeve kibernetike dhe alarmeve të rreme që ka goditur Italinë javët e fundit synon destabilizimin e vendit, por nuk përbën një kërcënim konkret për sigurinë kombëtare, tha të enjten ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, siç njofton Reuters. “Aktualisht nuk ka asnjë emergjencë në zhvillim që të përbëjë kërcënim konkret për sigurinë kombëtare”, i tha Piantedosi parlamentit.
Seria e mashtrimeve dhe sulmeve kibernetike ka goditur javët e fundit shkolla, supermarkete, banka gjaku, sisteme të trafikut ajror dhe transmetues në mbarë Evropën, duke prishur jetën e përditshme. Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni vendosi që ndërtesat publike të mos evakuohen pa prova konkrete rreziku, për të mos lejuar që alarmet e rreme të shkaktojnë panik, dhe Piantedosi tha se masa ka rezultuar efektive: “Më 16 nëntor, gati 7.500 shkolla morën email-e të tilla, por vetëm një evakuim u krye”, tha ai.
Sipas ministrit, sulmet duket se janë hartuar për të minuar besimin te institucionet shtetërore. “Po përballemi me operacione armiqësore të hartuara për të maksimizuar mbulimin mediatik dhe ndikimin emocional, duke shfrytëzuar lehtësinë e komunikimeve anonime”, tha Piantedosi, duke shtuar se kontrollet e para tregojnë se email-et, përfshirë alarmet e fundit të rreme për fluturime, vinin nga llogari të huaja të komprometuara, që tashmë po hetohen nga autoritetet italiane.
Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se pas fushatës mund të qëndrojë Rusia, ndaj vendeve që kanë mbështetur Ukrainën pas pushtimit të Moskës, ndërsa ambasada ruse në Itali ka ofruar ndihmë për identifikimin e përgjegjësve. Piantedosi tha se është “ende herët” për t’ia atribuar përgjegjësinë dikujt dhe theksoi se i vetmi sulm kibernetik i konfirmuar në shkallë të gjerë deri tani ka goditur sistemet e ftohjes së supermarketeve në fillim të këtij muaji.
Ministri hodhi poshtë edhe kritikat e opozitës për investime të pamjaftueshme në sigurinë kibernetike, pas takimit të javës së kaluar me Meloni-n për këtë çështje, duke thënë se shpenzimet për sigurinë kibernetike pritet të rriten në 299 milionë euro në vitin 2027, nga 203 milionë euro këtë vit.