E enjte, 19 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Operacion i fshehtë në Britani, mijëra frigoriferë u shkëputën nga interneti për t’u mbrojtur nga hakerët

Operacion i fshehtë në Britani, mijëra frigoriferë u shkëputën nga interneti për t’u mbrojtur nga hakerët

Dhjetëra mijëra frigoriferë dhe ngrirës në gjithë Britaninë janë shkëputur në fshehtësi nga interneti i hapur në një operacion sigurie, pasi studiuesit zbuluan një cenueshmëri që mund t’u jepte hakerëve mundësinë të prishnin sasi të mëdha ushqimi në supermarkete, magazina dhe restorante, siç njofton BBC. Operacioni, për të cilin BBC ka mundur të raportojë vetëm tani, ka vënë bashkë studiues sigurie, ekipe të teknologjisë së informacionit të kompanive dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike (NCSC), të cilat punojnë prej fundit të tetorit për të paralajmëruar dhjetëra kompani dhe për ta mbyllur boshllëkun përpara se ta gjenin kriminelët.

Cenueshmëria u gjet te kontrolluesit e temperaturës të prodhuar nga firma britanike Resource Data Management (RDM). Kërcënimi u zbulua fillimisht nga hakerë etikë të firmës Omega Systems, u verifikua dhe u zgjerua më pas nga ekspertët e Pentest Partners, të cilët ndihmuan për të ngritur alarmin, ndërsa në përpjekje u përfshinë edhe Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale (Defra) dhe Agjencia e Standardeve të Ushqimit (FSA), me telefonata konferencë me industrinë dhe ekipe të ngarkuara për të kontaktuar firmat në rrezik.

Mijëra pajisje që kontrollojnë dhjetëra mijëra pajisje ftohëse u hoqën nga interneti i hapur, disa në distancë e disa fizikisht, me punonjës të urdhëruar të heqin kabllot e internetit dhe t’i monitorojnë temperaturat me dorë. Sipas BBC-së, shumica e supermarketeve të mëdha janë detyruar të devijojnë ekipet e tyre të IT-së për këtë çështje, ndërsa një punonjës i një zinxhiri të madh tha se ata hoqën nga rrjeti qindra pajisje çdo ditë gjatë një jave të tërë. “U ndje si një garë kundër kohës, sepse prisnim një valë tjetër të këtyre hakimeve të frigoriferëve”, tha personi, i cili nuk deshi të identifikohej publikisht, duke shtuar se magazinat e tyre kanë ushqime me vlerë miliona paund që mund të ishin prishur.

Operacioni pasoi tri valë hakimesh ndaj kontrolluesve të temperaturës së frigoriferëve gjatë këtij viti: në gusht u goditën frigoriferë në një numër të vogël bazash ushtarake amerikane; më 11 dhe 12 tetor u goditën qindra supermarkete dhe site të përpunimit të ushqimit në Francë, ku u shënjestruan sistemet e Danfoss; ndërsa më 1 dhe 2 nëntor u goditën dhjetëra supermarkete në shtatë vende evropiane, me Belgjikën dhe Luksemburgun më të prekurit, si dhe disa site të bankave të gjakut në Francë. RDM e kundërshton natyrën kritike të cenueshmërive të zbuluara, por është vlerësuar për reagimin profesional ndaj shqetësimeve, dhe ka konfirmuar se nuk ka shenja aktiviteti keqdashës në kontrolluesit e saj.

Përveç supermarketeve, për rrezikun u paralajmëruan edhe sektorë të tjerë të industrisë britanike të ushqimit dhe pijeve, përfshirë dyqanet e vogla, pikat e karburantit, restorantet dhe zinxhirët e ushqimit të shpejtë, arenat sportive, hotelet, impiantet e përpunimit të ushqimit dhe sitet e magazinimit në të ftohtë.

Lini një koment