BERLIN – Zelensky: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është garancia më e mirë e sigurisë
BERLIN, 20 nëntor /ATSH-ANSA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të ishte garancia më e mirë e sigurisë për vendin e tij dhe njëkohësisht një garanci për sigurinë e gjithë Evropës.
“Jam mirënjohës ndaj vendeve të grupit E3 dhe të gjithë partnerëve tanë, që shprehen qartë se garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën dhe, në fakt, për të gjithë Evropën, është anëtarësimi në NATO”, deklaroi Zelensky në konferencën për shtyp pas takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve në Berlin.
Ai theksoi se NATO dhe Bashkimi Evropian janë dy shtyllat kryesore të sigurisë evropiane dhe se përvoja, aftësitë ushtarake dhe teknologjia e Ukrainës do ta forconin më tej mbrojtjen e Evropës.
Zelensky nënvizoi gjithashtu, se integrimi i plotë i Ukrainës në Bashkimin Evropian duhet të jetë pjesë e rëndësishme e garancive të ardhshme të sigurisë.
Sipas tij, procesi i integrimit evropian duhet të përshpejtohet dhe partnerëve ndërkombëtarë t’u paraqiten propozime konkrete për këtë qëllim.
Deklarata u bë në kuadër të diskutimeve të zhvilluara në Berlin nga Koalicioni i të Vullnetshmëve, grupi i vendeve që bashkëpunojnë për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar garancitë e sigurisë, në rast të arritjes së një marrëveshjeje për paqe.
Çështja e garancive të sigurisë mbetet një nga temat kryesore të negociatave për përfundimin e luftës, pasi Ukraina kërkon mekanizma që të pengojnë një sulm të ri rus në të ardhmen. /