E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BERLIN – Meloni: Kina të përdorë ndikimin e saj për të bindur Rusinë të bëjë paqe

BERLIN – Meloni: Kina të përdorë ndikimin e saj për të bindur Rusinë të bëjë paqe

BERLIN, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i bëri thirrje Kinës të përdorë ndikimin e saj politik dhe diplomatik mbi Rusinë, për ta nxitur Moskën drejt një paqeje të vërtetë në Ukrainë.

Gjatë fjalës së saj në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve, të zhvilluar në Berlin, Meloni komentoi deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Kinës, të cilët u takuan në Shenzhen.

Ajo vlerësoi angazhimin e shprehur në këtë deklaratë, për të parandaluar një luftë bërthamore, por vuri në dukje se dokumenti nuk përmendte luftën në Ukrainë.

“Deklarata e tyre trajton stabilitetin strategjik, energjinë dhe rreziqet bërthamore. Ne mirëpresim angazhimin për të shmangur një luftë bërthamore. Megjithatë, në tekst nuk përmendet lufta në Ukrainë”, deklaroi Meloni.

Sipas kryeministres italiane, kjo mungesë tregon se Kina duhet të marrë një rol më aktiv, në përpjekjet diplomatike për përfundimin e konfliktit.

Ajo theksoi se Pekini ka ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet me Moskën dhe se duhet ta përdorë këtë ndikim, për ta bindur presidentin rus, Vladimir Putin të pranojë një zgjidhje paqësore.

“Nëse Kina dëshiron të jetë një forcë që kontribuon në stabilitetin ndërkombëtar, ky është momenti për të përdorur ndikimin e saj, për ta nxitur Rusinë drejt një paqeje të vërtetë”, u shpreh Meloni.

Ajo nënvizoi gjithashtu se çdo marrëveshje për përfundimin e luftës, duhet të përfshijë drejtpërdrejt Ukrainën dhe vendet evropiane.

“Nuk mund të ketë paqe në Ukrainë pa Ukrainën. Dhe nuk mund të ketë paqe pa Evropën”, deklaroi kryeministrja italiane.

Me këtë qëndrim, Meloni kundërshtoi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për të ardhmen e Ukrainës vetëm përmes bisedimeve mes fuqive të mëdha, pa pjesëmarrjen e Kievit dhe pa përfshirjen e interesave të sigurisë së vendeve evropiane. /

Lini një koment