BERLIN – Kushner: Rusia ka pranuar të marrë pjesë në një format shumëpalësh me Evropën
BERLIN, 20 nëntor /ATSH-ANSA/ – Rusia ka pranuar të shqyrtojë pjesëmarrjen në një format negociatash shumëpalëshe me vendet evropiane, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Lajmi u bë i ditur nga Jared Kushner, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, gjatë takimit me udhëheqësit evropianë në Berlin.
Kushner theksoi se është e nevojshme që Rusia dhe Evropa, të rifillojnë komunikimin e drejtpërdrejtë, pasi sipas tij, prej rreth katër vitesh nuk kanë pasur një dialog të tillë në nivelin e nevojshëm politik.
“Rusia dhe Evropa duhet të fillojnë të flasin përsëri me njëra-tjetrën. Ata nuk e bëjnë këtë prej katër vitesh”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në Berlin, ishte krijimi i garancive të sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.
Kushner tha se çdo garanci e tillë do të mbështetej në një model të ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s, që përcakton parimin e mbrojtjes kolektive në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar.
Sipas tij, gjatë kontakteve me palën ruse, është krijuar bindja se Moska mund të pranojë konceptin e një garancie sigurie të këtij lloji për Ukrainën.
“Besoj se kemi arritur që rusët të ndihen të qetë me këtë koncept”, deklaroi Kushner, duke shtuar se presidenti Trump është i hapur ndaj kësaj mundësie.
Megjithatë, ai nënvizoi se një angazhim i tillë duhet të jetë edhe në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi do të përbënte një përgjegjësi të rëndësishme për Uashingtonin.
Një garanci sigurie, e bazuar në modelin e Nenit 5, synon të sigurojë që Ukraina të mos mbetet e pambrojtur në rast të një sulmi të ri pas përfundimit të konfliktit.
Pjesëmarrja e mundshme e Rusisë në një format shumëpalësh me Evropën, do të ishte gjithashtu një zhvillim i rëndësishëm diplomatik, pasi do të hapte rrugën për rikthimin e kontakteve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe kryeqyteteve evropiane, në diskutimet për sigurinë e kontinentit. /