UEFA ndëshkon Kosovën për ndeshjen me Izraelin, gjobë 42 mijë e 250 euro dhe mbyllje e pjesshme e stadiumit
UEFA ka ndëshkuar Federatën e Futbollit të Kosovës pas ndeshjes me Izraelin në Ligën e Kombeve, siç njofton Telegrafi.
Në vendimin e saj, UEFA e ka gjobitur FFK-në me gjithsej 42 mijë e 250 euro. Përveç dënimit financiar, organi qeverisës i futbollit evropian ka vendosur edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme që Kosova do ta zhvillojë si vendase.
Kjo do të thotë se përballja e radhës në Prishtinë do të zhvillohet me kufizime në tribunat e stadiumit, në përputhje me vendimin disiplinor të UEFA-s.
Ndaj FFK-së ishin hapur disa procedura disiplinore pas ndeshjes me Izraelin, ndërsa vendimi i fundit sjell edhe pasoja financiare dhe organizative për federatën, e cila do të duhet të paguajë gjobën dhe të zbatojë masën e mbylljes së pjesshme në ndeshjen e ardhshme si vendase.
Ndeshja me Izraelin u mbyll 0-0, ndërsa Kosova luajti për gjysmë ore pa Veldin Hoxhën, i cili mori karton të kuq. Kosova e mbylli grupin e saj në Ligën e Kombeve B në pozitën e tretë, me 6 pikë.