E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Veliaj i shkruan Ballukut nga qelia: Rama nuk vendos më për burgjet, mirato operacionin tim në Tiranë

Veliaj i shkruan Ballukut nga qelia: Rama nuk vendos më për burgjet, mirato operacionin tim në Tiranë

Nga qelia ku mbahet i paraburgosur, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka shkruar një letër zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, duke i kërkuar që t’i miratojë operacionin në këmbë në Tiranë, siç njofton Shqiptarja.com.

Në letër, Veliaj pretendon se vendimet për sistemin e burgjeve nuk i merr më kryeministri Edi Rama, por vetë Balluku. Sipas tij, bazuar në Kodin Penitenciar, ministrja është autoriteti më i lartë për çështjen e sistemit të burgjeve dhe mbikëqyrja e tij është misioni i saj, ndaj kërkesën ia drejton drejtpërdrejt asaj.

Veliaj thekson se kërkesat e tij të përsëritura, drejtuar më herët edhe kryeministrit Rama, ministrit të Drejtësisë Toni Gogu dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për miratimin e operacionit në Tiranë, nuk kanë marrë ende përgjigje. Ai shkruan se shëndeti i tij po përkeqësohet nga problemet me këmbën dhe se ka besim te mjekët shqiptarë për kryerjen e ndërhyrjes në kryeqytet.

Në letër, Veliaj shprehet gjithashtu i gatshëm të bashkëpunojë me SPAK-un dhe deklaron se ka besim te drejtësia, duke u shprehur i bindur se e vërteta do të dalë në pah. Letra mbyllet me kërkesën drejtuar Ballukut që, në emër të të drejtave të njeriut dhe të viteve të punës së përbashkët, të miratojë operacionin në Tiranë.

Lini një koment