E premte, 20 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Arrestohet i riu në Tiranë, dyshohet se kanosi 31-vjeçarin për 600 mijë lekë

Arrestohet i riu në Tiranë, dyshohet se kanosi 31-vjeçarin për 600 mijë lekë

Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 31-vjeçar për t’i marrë një shumë prej 600 mijë lekësh, të cilën pretendonte se ia kishte borxh.

Në kuadër të operacionit të koduar “Pretendimi”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, është proceduar penalisht edhe babai i të riut, i cili dyshohet se e ka kanosur me fjalë 31-vjeçarin për të njëjtin motiv.

Sipas njoftimit të policisë, pas kallëzimit të 31-vjeçarit, shërbimet policore kryen veprime të shpejta hetimore dhe arrestuan shtetasin me inicialet D. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, që dyshohet se është përdorur për kanosjen, municion luftarak, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Ndërkohë, në gjendje të lirë nisi procedimi penal për babanë e 20-vjeçarit, shtetasin Sh. D., 45 vjeç, i dyshuar për kanosjen me fjalë të 31-vjeçarit.

Njoftimi i policisë

“Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, për administrimin e kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte kanosur me armë zjarri, për dhënien e një shume parash, u finalizua operacioni i koduar “Pretendimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi D. D., 20 vjeç, banues në Tiranë.

20-vjeçari dyshohet se ka kanosur me armë zjarri, 31-vjeçarin, për t’i marrë 600 000 lekë që pretendon se ky i fundit ia ka borxh. Nga kontrolli në banesën e shtetasit të arrestuar, u gjetën armë zjarri (pistoletë) me municion dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë, për babanë e 20-vjeçarit, shtetasin Sh. D., 45 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë, 31-vjeçarin, për të njëjtin motiv.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme”, njofton policia.

Lini një koment