Arijon Ibrahimovic konfirmon kontaktet me FFK-në: e ndjek me respekt zhvillimin e futbollit kosovar
Arijon Ibrahimovic është një tjetër emër që vazhdon të jetë në radarët e futbollit kosovar, ndërsa vetë lojtari ka konfirmuar se tashmë ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), siç njofton Telegrafi.
Në një intervistë për mediat gjermane, futbollisti, i cili përveç shtetësisë gjermane posedon edhe atë kosovare, është pyetur nëse është kontaktuar nga FFK-ja për mundësinë e përfaqësimit të Kosovës. Përgjigjja e tij ishte pozitive, duke konfirmuar se komunikimi tashmë ka ndodhur.
“Po, tashmë ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës. E ndjek me shumë respekt zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar. Pavarësisht kësaj, fokusi im aktualisht është te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, për të cilën jam shumë i lumtur që luaj”, deklaroi Ibrahimovic.
Megjithatë, 20-vjeçari, i huazuar te Augsburg nga Bayern Munichu, nuk ka dhënë ndonjë sinjal konkret për një ndryshim të mundshëm të përfaqësueses, duke theksuar se për momentin është i përqendruar te Gjermania U21. Ibrahimovic luan si mesfushor ofensiv dhe si sulmues krahu.
Ibrahimovic u pyet edhe nëse kishte pasur ndonjë kontakt me Jurgen Kloppin, i cili së fundmi u ka dhënë debutimin disa futbollistëve të rinj në ekipin kombëtar gjerman, por ai u përgjigj shkurt: “Jo, deri më tani jo”.
Konfirmimi i kontakteve me FFK-në e mban të hapur interesimin për një nga talentet me prejardhje kosovare, ndonëse vendimi për të ardhmen e tij ndërkombëtare, të paktën në këtë fazë, nuk duket të jetë në agjendën e tij të menjëhershme.