TVSH-ja për ujin dhe produktet higjienike ulet në 6%, Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet edhe me votat e opozitës
Uji dhe produktet e higjienës personale për gratë dhe fëmijët, përfshirë pecetat dhe pelenat, do të tatohen me TVSH të reduktuar 6%, në vend të 20% që zbatohet sot. Siç njofton Shqiptarja.com, Komisioni i Ekonomisë miratoi të premten amendamentet e propozuara nga deputetët, duke i futur këto produkte në skemën e TVSH-së së reduktuar për produktet bazë.
Një nga propozimet u bë nga deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ndërsa deputeti Enno Bozdo propozoi që uji të përfshihet në skemën e TVSH-së së reduktuar, duke argumentuar se në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian uji tatohet me TVSH të ulët. Edhe deputeti Çakërri kërkoi përfshirjen e ujit në skemën e reduktuar, si një produkt jetik për qytetarët.
Gjatë diskutimeve, deputetja Kushi tha se kostoja e uljes së TVSH-së për produktet e higjienës menstruale është rreth 220 milionë lekë. Ministria e Financave i kundërshtoi propozimet, duke argumentuar se ulja e TVSH-së për produktet bazë nuk është shoqëruar me rënie të çmimeve në treg.
Me propozim të deputetit Kadeli, komisioni miratoi edhe uljen nga 20% në 6% të TVSH-së për projektimin e ndërtimeve të dedikuara sportit.
Projektligji u miratua me 10 vota pro, përfshirë edhe ato të deputetëve të opozitës Edmond Haxhinasto dhe Enno Bozdo, dhe pritet të kalojë për shqyrtim në seancën plenare të 26 nëntorit.